- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Aktivistët e Shqipërisë dhe Kosovës bashkohen për të pastruar liqenin e Shkodrës
Aktivistët e Shqipërisë dhe Kosovës bashkohen për të pastruar liqenin e Shkodrës
Dhjetëra aktivistë mjedisorë nga Shqipëria dhe Kosova u bënë bashkë për të pastruar Liqenin e Shkodrës.
“Kemi ardhur nga Kosova një grup, edhe të pastrojmë, edhe të shoqërohemi, edhe kjo ka një kuptim, jep një mesazh se ne jemi bashkë”, tha për Citizens Channel Resmie Hajzeraj.
Të organizuar në kuadër të ditës së tokës, “Vullnetarët për atdhe të pastër”, pjesëmarrës nga “Natyralistët” dhe grupime të tjera u shpërndanë në terren për pastrimin e Shirokës dhe Zogajt.
“Ti ndërgjegjësojmë të rinjtë dhe popullatën shqiptare që mjedisi duhet ruajtur sepse nga mjedisi marrim, nga mjedisi vijmë dhe duhet ti japim mjedisit atë që i takon, përkujdesjen”, theksoi Renato Deda.
Një nga problematikat që u konstatua në zonë ishte se në vijën liqenore mungonin koshat e mbetjeve, duke i detyruar vendasit që ti flakin mbetjet kudo.
“Nuk janë mbeturina rastësore, pra një shishe, paketa, apo gjëra që hidhen nga kalimtarët. Unë po shoh këtu që ka mbeturina familjare”, shpjegoi Klevisa Lamaj.
Edhe banorët e fshatit Zogaj, konfirmuan se nuk kanë zgjidhje tjetër për shkarkimin e mbeturinave, pasi për t’i hedhur në kontejnerë duhet të ecin goxha kilometra në këmbë.
“Është tepër e rëndësishme ndërgjegjësimi i qytetarëve shkodranë dhe të zonës përreth; siç lahen, edhe lajnë enët edhe trupin, mos ti hedhin në rrugë, po ti hedhin nëpër kosha”, shton aktivisti Fatos Baruti.
Ekspertët theksojnë nevojën e politikave të qëndrueshme, pasi aksionet sipas tyre janë të pamjaftueshme për zgjidhjen e ndotjes në masë.
“Sot ishim 50 veta për të pastruar por jemi tre milion që ndotim përditë dhe e keqja e madhe është që s’ka as logjikë aritmetike, as logjikë njerëzore që ne ta pastrojmë Shqipërinë me aksione”, shpjegon eksperti mjedisor Abdulla Diku.
Ai përmbyll se zgjidhja më e mirë do të ishte pastrimi i mendjes, ç’ka do të thotë të ndotim më pak, të riciklojmë më shumë, në mënyrë që të kemi një vend më të pastër.
Aktivistët premtuan ri takimin e tyre në aksione të rradhës për pastrimin e zonave të tjera në vend.
The post Aktivistët e Shqipërisë dhe Kosovës bashkohen për të pastruar liqenin e Shkodrës appeared first on Citizens.al.