- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Agjencia Kombëtare e Mjedisit: Rreziku i lumenjve, HEC-et dhe inertet
Agjencia Kombëtare e Mjedisit: Rreziku i lumenjve, HEC-et dhe inertet
Gërryerja e shtretërve të lumenjve vijon të mbetet një rrezik potencial për përmbytjet në vend. Nxjerrja e zhavorrit lumor dhe ndërtimi i hidrocentraleve ka krijuar trysni të mëdha mbi ujërat dhe shtretërit e lumenjve.
Në kohën kur debati mbi ndërtimin e 11 hidrocentraleve të reja (ndërkohë në total janë rreth 500 të tillë, referuar AKBN) në parkun kombëtar të Valbonës ka mbetur ende pa përgjigjje, një agjenci shtetërore i del zyrtarisht kundër qeverisë.
Në raportin më të fundit të hartuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, puna në terren e së cilës është përqendruar në muajt shkurt-dhjetor të vitit 2016, një ndër pikat e pazgjidhura mbetet abuzimi me lumenjtë.
“Problemi më i prekshëm në situatën e vendit tonë është ai i përmbytjeve, frekuenca e të cilave është shtuar shumë vitet e fundit. Në këtë fenomen ndikon jo vetëm klima, por edhe shfrytëzimi i tejskashëm i inerteve nga shtretërit e lumenjve. Presione të tjera mbi sasitë e burimeve ujore, shkaktohen nga përdoruesit kryesorë sektorialë të ujit si bujqësia, prodhimi i energjisë nga HEC-et si dhe industria, kur uji është pjesë e proçesit teknologjik”, theksohet në raport.
Lumenjtë më të rrezikuar
Raporti liston lumenjtë më të mëdhenj të vendit, pjesa më e konsiderueshme e të cilëve janë pre e barbarisë së nxjerrjes së inerteve që nga vitet ’90.
Drini i Zi mbetet problematik me erozionin e terracës së shtratit dhe të tokës bujqësore. Gjithashtu ka probleme me grumbullimin e inerteve dhe përmbytje në zonën e Gjoricës.
Lumi i Drinit, Gjadrit dhe Kirit përveç erozionit kryesisht shqetësues në Beltojë, shfaqet problematik me ndotjen inerte dhe urbane në shtratin e tij, ujëra me ndotje bakterologjike, ndotje estetike dhe dëmtim të bimësisë.
Lumi i Matit është mbase lumi më i shfrytëzuar për inerte që nga vitet ’90. Raporti evidenton se: ka një ulje të konsiderueshme të shtratit për shkak të erozionit fundor dhe shfrytëzimit të tejskajshëm të inerteve në të gjithë gjatësinë e lumit.
“Ndërtimi i HEC-ve mbi lumin Fan ndërpret furnizimin e shtratit me inerte lumore duke hequr mundësinë e rigjenerimit sado minimal të shtratit. Vetëm për periudhën 2007-2015 në shtrat të lumit, në segmentin Luxhë-Ura e Zogut, mungojnë rreth 6 milion m3 inerte”, thekson në mënyrë alarmante raporti.
Edhe në rastet kur përpiqet të përmirësohet situata, veprohet krejtësisht gabim. “Rigjenerim në dukje i shtratit në disa sektorë të Fanit poshtë Luxhës, i cili është bërë për shkak të stokimit të inerteve malore të hedhura në shtrat nga hapja e galerive për ndërtimin e HEC-eve pra nga një material krejt i panatyrshëm për karakteristikat dhe parametrat natyrorë të shtratit.”
Lumi i Ishmit rezulton me një ndotje të fuqishme të shtratit, terracës, rrjedhës dhe vijës së bregut. Rezulton gjithashtu problematike kënetëzimi i shtratit të tij në zona të caktuara. Ndërkohë lumenjtë e Vjosës, Osumit, Devollit, Semanit kanë problem me ndotjet inerte dhe urbane dhe ndotje bakterologjike.
Cilësia e baseneve lumore 2014-2016. Burimi: AKM
Çfarë duhet bërë?
Sipas ekspertëve Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, e gjithë kjo situatë e ka një zgjidhje dhe ata japin rekomandimet e duhura. “Masat për të rritur sasinë e ujit në dispozicion të popullsisë, i pijshëm ose për përdorime të tjera, përfshijnë ndërtimin e rezervuarëve për të ruajtur sasitë e nevojshme të ujit për të siguruar furnizimin në vazhdimësi dhe pa ndërprerje, ngritjen e argjinaturave për shmangien e përmbytjeve, minimizimin dhe menaxhimin e shfrytëzimi të inerteve”, evidentojnë specialistët.
Autor: El.El / Citizens Channel
The post Agjencia Kombëtare e Mjedisit: Rreziku i lumenjve, HEC-et dhe inertet appeared first on Citizens.al.