- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Abuzimi me udhëtarët në linjën detare Durrës-Bari dhe mungesa e një vendi ankimi!
Abuzimi me udhëtarët në linjën detare Durrës-Bari dhe mungesa e një vendi ankimi!
Autor: A. Velo | Citizens Channel | Durrës
Duhet të jesh shumë i vëmendshëm kur blen një biletë udhëtimi me traget, sidomos në linjën Durrës-Bari. Edhe pse në biletën e blerë pranë njësive të autorizuara që përfaqësojnë kompaninë lundruese, janë të përcaktuara saktë dhe qartë orari i nisjes nga Durrësi dhe mbërritjes në Bari të tragetit, vendqëndrimi në poltronë, apo kabina fjetjeje, në të vërtet, sapo hipën në traget kupton se bileta shërben thjesht si një tregues që ti e ke paguar këtë udhëtim, ndërsa askush duke nisur nga agjencia që ka shitur këtë biletë, personeli që shërben në traget, nuk kujtohen për të drejtat e tua si udhëtar të sanksionuara edhe në dispozitat ligjore.
Janë personat e dëmtuar ata që rrëfejnë jo vetëm përplasjet pas asaj vonese dhe refuzimin që iu është bërë por edhe dëmin që iu është shkaktuar për vonesën e pakuptimtë dhe të pashpjegueshme nga ana e autoriteteve përgjegjëse.
Një nga rastet e shumta është ai me tragetin Aurelia, i kontraktuar nga kompania GNV (Grandi Navi Veloci) në linjën Durrës-Bari-Durrës. Në datën 05.12.2019 ky traget duhej të nisej nga porti i Durrësit drejt portit të Barit në orën 22:00. Por me pretendimin se kishte shumë mjete, kryesisht të transportit, që po kontrolloheshin në skaner dhe që kishin prerë biletat për të udhëtuar me këtë traget, kapiteneria e këtij mjeti lundrues e zgjati orarin e nisjes deri në orën 02:00 pas mesnate. Asnjë lajmërim nuk iu bë udhëtarëve të imbarkuar, asnjë shërbim nuk iu ofrua fëmijëve dhe të moshuarve qoftë në aspektin psikologjik shëndetësor, ashtu edhe në atë moral.
Përfaqësuesit e kompanisë së udhëtimit e shkelën me të dy këmbët Nenin 277 ku është parashikuar nisja me vonesë e mjeteve lundruese që transportojnë udhëtarët. Kodi Detar, në pikën 2 të Nenit 277, saktëson: “Nëse anija nuk niset në kohën e përcaktuar, pavarësisht nga shkaku, udhëtarit duhet t’i shërbehet ushqim dhe strehim i përshtatshëm, kur nuk ka kërkuar rimbursimin e biletës.”Dhe shkeljet nuk përfundojnë këtu. Rreth orës 05. 00 të mëngjesit trageti ndaloi udhëtimin e vet, dhe pas një qëndrimi statik në mes të detit, sërish pa asnjë njoftim për udhëtarët, uli në minimum shpejtësinë me rreth 3 milje në orë. Shumë udhëtarë humbën linjat e avionit nga Bari në destinacione të tjera të Italisë. Të tjerë humbën ditën e punës. Po kështu studentë të pranishëm humbën provimet që kishin për të dhënë atë ditë në fakultetet e Universiteteve të rajonit të Puljas.
Agron Xoxa Drejtor i Artit dhe Kulturës, Bashkia Fier, së bashku me një delegacion ku bënin pjesë përfaqësues të bashkisë por edhe Dhomës së Tregtisë së qarkut Fier, ishin disa nga të dëmtuarit e këtij veprimi të paprecedentë.“Ky është një abuzim i pastër që bëhet me ne si udhëtarë” -tha ai- “Kam takime të planifikuara gjatë ditës së martë me autoritete të Komunës Barleta dhe jam i detyruar t`i nënshtrohem këtij veprimi abuziv.”
Entela një studente universitetit të Barit, disa herë u mundua të komunikonte me profesorin me të cilin kishte provim atë ditë. Por vetëm rreth mesditës, kur trageti i rimorkuar nga anija pilot dhe një tjetër anije rimorkiator i autoritetet portual të Barit, po i afrohej brigjeve italiane, mundi të kontaktonte profesorin duke humbur kështu provimin.
Asnjë prej ekuipazhit nuk dha shpjegime lidhur me vonesën e tejzgjatur. Asnjë shërbim ndihmës nuk ju dha pasagjerëve. Ndërsa disa të tjerë edhe pse kërkonin shpjegim në sportelin e tragetit, nuk merrnin asnjë përgjigje. Në nenin 280 të ligjit përcaktohet qartë dhe saktë se cila është përgjegjësia që ka transportuesi gjatë lundrimit.
Kontrata e shkelur e Biletës së Udhëtarit
Bileta e tragetit
Përveç bazës ligjore, janë edhe një sërë elementësh të tjerë të cilët mund të rregullojnë marrëdhënien pasagjer-kompani, e cila të pajis me biletën udhëtuese. Ky mjet të siguron të drejtën e ankesës dhe të dëmshpërblimit.
Abuzimi
Neni 277 i ligjit Nr.9251, datë 8.7.2004, thekson se : Në rastet kur nuk bëhet njoftimi i mosnisjes së anijes në afatin e përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, kur ndërpritet udhëtimi ose ndryshohet itinerari për faj të transportuesit, veç rimbursimit të biletës, udhëtari ka të drejtën e shpërblimit të dëmit të pësuar ose fitimit të munguar nga mosnisja dhe, kur nuk ka dëm, përfitimin e një shume sa vlefta e një bilete”.
Në autoritetin portual në Durrës thuhet se nuk është bërë denoncim konkret lidhur me këtë rast, edhe pse disa prej udhëtarëve tërhoqën prej kapitenerisë së tragetit një dokument ku shkruhej orari i nisjes dhe mbërritjes realisht të tragetit.
Gjatë viteve te fundit, në përpjekje për t’i dhënë konsumatorit shqiptar, të njëjtat të drejta si konsumatorëve evropianë, janë miratuar një sërë ligjesh e aktesh nënligjore. Një prej tyre është dhe Kodi Detar. Pavarësisht kësaj, informaliteti në të cilin operon tregu i udhëtimeve, mbetet në nivele të larta, duke e lënë të pambrojtur qytetarin.
*Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit”Siguria e konsumatorit në lidhje me produktet joushqimore” zbatuar nga Qendra “Konsumatori shqiptar”
The post Abuzimi me udhëtarët në linjën detare Durrës-Bari dhe mungesa e një vendi ankimi! appeared first on Citizens.al.