9 maj, 68 vite bashkim Evropian

Më 9 maj 1950, Robert Schuman u bëri thirrje kombeve të Evropës të bashkoheshin dhe ta bënin të pamundur luftën në kontinentin tonë. 68 vjet më vonë, mesazhi i tij i paqes dhe unitetit është po aq me vend sa gjithnjë. Thirrja e Schuman-it për të kapërcyer ndarjet e vjetra vetëm pesë vjet pas Luftës së Dytë Botërore shtroi themelet për atë që u bë Bashkimi Europian.

Deklarata e 9 majit 1950 është data kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian. Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Shuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për të bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut që do të ishte “themeli i parë konkret për një Federatë të ardhshme Evropiane”.

Robert Schuman dhe Jean Monnet, foto nga Union européenne 2011

Evropa ka dy ditë të shënuara, 5 majin që njihet edhe si dita e Këshillit Evropian dhe 9 majin që është dita e Bashkimit Evropian dhe ka ngelur nga data kur ministri i Jashtëm francez Shuman, bëri deklaratën e njohur historike.

Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën. Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian mbikombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake. Për këtë arsye dita e Bashkimit Evropian njihet ndryshe edhe si Dita e Shumanit.

Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si “Dita e Evropës”. Ajo është një nga simbolet e Evropës së Bashkuar.

Parlamenti Evropian e njohu ditën e Evropës sërish më 9 maj, në vitin 2008. Edhe në Shqipëri në kuadër të ditës së Evropës ka pasur një sërë aktivitetesh, si nga institucionet shtetërore por edhe nga organizata të ndryshme.

Dita e Evropës festohet edhe në vendet që nuk janë ende pjesë e BE-së për të theksuar vlerat e këtij unioni, përhapjen e tyre në sistemin e edukimit.

Motoja e BE-së është “Të bashkuar në diversitet”. Himni i BE-së është Himni i gëzimit, “Ode to Joy” e Bethovenit.

Bashkimi Europian ofron më shumë ndihmë të huaj sesa çdo bashkim tjetër ekonomik. Duke mbuluar 7.3% të popullsisë botërore, BE-ja në vitin 2016 krijoi një prodhim të brendshëm bruto (PBB) prej 16.477 trilionë dollarë amerikanë, që përbën rreth 22.2% të PBB-së nominale globale dhe 16.9% kur matet në drejtim të barazisë së fuqisë blerëse.

Përveç kësaj, 27 nga 28 vendet e BE-së kanë një indeks shumë të lartë të zhvillimit njerëzor, sipas Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara.

The post 9 maj, 68 vite bashkim Evropian appeared first on Citizens.al.