700 punonjës të spitalit të Shkodrës denoncojnë vonesën e pagave

Rreth 700 punonjës të spitalit rajonal të Shkodrës ende nuk kanë marrë pagat e dhjetorit. Paolo Kaceri, Kryetar i Sindikatës së Punonjësve të Shëndetësisë, i tha Citizens Channel se kjo vonesë ka prekur të gjitha spitalet e vendit, por ende nuk është bërë publike.

“Është një neglizhencë e jashtë zakonshme Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), për arsye  se spitali procedurat e veta i ka kryer në kohë, por MSH nuk ka bërë të mundur kalimin e fondeve deri më datë 23 , që është sot. I gjithë personeli ka detyrime për të shlyer , nëse nuk shlyhen në kohë, ato shlyhen me kamatë dhe askush nuk mer përsipër asgjë “ – analizon Kaceri.

Pas deklaratës së djeshme për mediat punonjësve i është premtuar që paga do të kalojë sot.

“Kanë thënë që ishte një vonese proceduriale e Ministrisë së Shëndetësisë, tani të shohim nëse do i marrim sot “ – tha për Citizens Channel Gjovalin Marvukaj, infermier pranë urgjencës spitalit rrethit Shkodër.

Kjo nuk është hera e parë që punonjësit e shëndetësisë përballen me një vonesa të pagave, pasi edhe vjet në fund vit, për ta ishte e njëjta problematikë.

“Pagat edhe mund të kalojnë por ne nuk mund të qëndrojmë pa i shprehur pakënaqësitë, për të kuptuar edhe kontingjentin e infermierëve që po largohen. Duhen bërë transparente kushtet e personelit dhe sesi ata punojnë, në çfarë vështirësish për të paguar faturat mujore“ – përfundon Paolo Kaceri.

Sipas një ankete të Qendrës për Studime Sociale dhe Ekonomike, gati 92% e studentëve të Mjekësisë kanë shprehur dëshirën për t’u larguar nga vendi.

Sipas të dhënave nga Observatori Global i Shëndetit në 2020, Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon. Greqia ka 6.2 mjekë për 1000 banorë, Maqedonia 2.8, Mali i Zi 2.3, Serbia 2.4 dhe Bosnja 1.8 mjekë për 1000 banorë. Shqipëria ka 1.2 mjekë për 1000 banorë.

Sipas ligjit, duhet të ketë një mjek për 1500 banorë në zonat  malore,  1700 në zonat kodrinore,  2000 në qytet.

Në një hartë të publikuar në 2020 nga OBSH, Shqipëria renditet ndër vendet që kanë një numër më të ulët mjekësh në raport me popullsinë në botë.

Dokumentari: “Kush do i shërojë ata që nuk kanë ikur”

Në vitin 2023, Citizens Channel realizo një dokumentar për çështjen e largimit masiv të punonjësve të shëndetësisë. Analiza nis nga parashikimet e zymta demografike të Shqipërisë që tregojnë rritje të shpejtë të moshës së popullsisë, në një kohë që vendi po vuan nga largimi masiv i mjekëve dhe infermierëve. Një pikë kthese në këtë histori është ligji i shumë debatuar për studentët e mjekësisë.