45 organizata kërkojnë ndalimin e gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit LGBTI+

45 organizata kanë kërkuar përmes një thirrjeje publike ndalimin e gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit LGBTI+ në Shqipëri.

“Rritja e retorikës diskriminuese dhe e gjuhës së dëmshme ka arritur nivele shqetësuese, duke paraqitur një kërcënim të konsiderueshëm për dinjitetin, sigurinë dhe mirëqenien e anëtarëve të komunitetit LGBTI+ dhe mbështetësve të tyre. Ndaj ne, organizatat nënshkruese, solidarizohemi në thirrjen tonë për ndalimin e gjuhës së urrejtjes në Shqipëri”, -thuhet në thirrjen publike të organizatave.

Sipas organizatave, gjuha e urrejtjes është një shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe bie ndesh me vlerat themelore të barazisë, respektit dhe përfshirjes që aspiron vendi ynë të mbrojë.

“Përdorimi i saj përjetëson diskriminimin, nxit dhunën dhe krijon një mjedis frike dhe përjashtimi për personat LGBTI+ apo ndaj kujtdo që përdoret. Kjo është e papranueshme në një shoqëri që synon të mbrojë dhe promovojë të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht nga orientimi i tyre seksual apo identiteti gjinor”, -citon më tej deklarata.

Mes të tjerash, organizatat ju kërkuan autoriteteve të marrin masa të shpejta kundër autorëve të gjuhës së urrejtjes për të parandaluar shkeljet e ardhshme.

Më 25 maj 2024, u mbajt në Tiranë Parada e Krenarisë me thirrjen “Çdo ngjyrë, një familje”. Anëtarë të komunitetit LGBTI+ në Shqipëri, aktivistë e qytetarë marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe përsëritën njëzëri thirrjet për të qenë krenarë për identitetin e tyre.

Narrativa në hapësirat publike para dhe gjatë mbajtjes së paradës ishte e tensionuar për shkak të zhvillimit të një ceremonie martesore të dy vajzave të komunitetit. Kjo nxiti debat dhe protesta nga përfaqësues të besimeve fetare me thirrjet për të mbrojtur familjen. Kjo çoi në shtim të narrativave diskriminuese.

Në rrjetet sociale qindra komente fyese iu bashkëngjitën postimeve që pasqyronin Paradën e Krenarisë. Vetëm dy ditë pas paradës, një foto e manipuluar me imazh të rremë që denigronte komunitetin qarkulloi në një nga mediat online me shikueshmëri të lartë sikurse “Jeta Osht Qejf”, duke u pasuar me komente me gjuhë urrejtjeje.