43 hidrocentrale në anën greke të Vjosës rrezikojnë të ndalin rrjedhën e lirë të lumit

Organizatat mjedisore në Greqi kanë ngritur shqetësimin se “Plani Kombëtar për Energjinë dhe Klimën”, i cili parashikon që deri në vitin 2030 të rrisë prodhimin e energjisë në Greqi me 15%, do të sjellë si rezultat ndërtimin e dhjetëra hidrocentraleve të vegjël në shtratin kryesor të lumit Aoos-it (shqip: Vjosa) dhe në dy degëzimet kryesore të saj: Voidomatis dhe Sarantoporos.

Në basenin e lumit për të gjithë Aoos-in dhe degëzimet kryesore Voidomatis dhe Sarantoporos, janë planifikuar 43 hidrocentralë të vegjël”, – thotë për Citizens Channel Alexandra Pappa nga organizata mjedisore MedINA.

Pra, pothuajse çdo rrjedhë e tre lumenjve kryesore planifikohet të futen në tuba. Në disa prej tyre edhe më shumë se një hidrocentral”, – vijon më tej Pappa.

Alexandra Pappa pohon se organizatat mjedisore po shfrytëzojnë momentin para zgjedhjeve që do të zhvillohen në maj, për t’i bërë presion që t’i japin status mbrojtjeje një pjesë të zonës që është e pambrojtur.

Qeveria është zotuar se do ta kthejë në një “Zonë Natyrale të Mbrojtur”, një kategori e ulët por që mund të ndalojë ndërtimin e hidrocentraleve. Në këndvështrimin tim, nëse se bëjnë tani, do të jetë e pamundur që të arrihet pas zgjedhjeve”, – sqaron Pappa. Sipas saj, në rast se preket pjesa e Greqisë, ndikimet negative do të ndjehen dhe në Shqipëri.

Është një ekosistem, nga burimi deri në det. Çfarëdo që të bësh në rrjedhën e poshtme ndikon në rrjedhën e sipërme dhe anasjelltas. Nëse do të ishte ndërtuar hidrocentrali në Kalivaç ose Poçem, Aoos në Greqi do të ndikohej”.

Të njëjtin qëndrim mban edhe Besjana Guri nga organizata mjedisore EcoAlbania. “Praktikisht do të ketë tharje, speciet nuk do ta kenë të mundur të mbijetojnë. Është shumë e rëndësishme që lumi të ketë rrjedhshmërinë dhe lidhshmërinë”, – shprehet Guri për Citizens Channel.

Vizioni, shprehet më tej Aleksandra Pappa, është që të krijohet Parku i Parë Ndërkufitar i Lumit të Egër në Evropë. “Është një mundësi unike, në radhë të parë për Greqinë dhe Shqipërinë që të jenë në vijën e parë në Evropës për këtë arritje”.

Alexandra Pappa, organizata mjedisore greke MedINA

Pala shqiptare dhe ajo greke kanë rënë dakord që të krijojnë një komiteti për të punuar në krijimin e Parkut Kombëtar Ndërkufitar. Ky vendim u njoftua në muajin shkurt të këtij viti, ku Ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaroi zhvilloi një takim me homologun e saj Kostas Skrekas në Athinë.

Shqipëria e shpalli Vjosën Park Kombëtar në muajin mars të këtij viti në Tepelenë. Plani i menaxhimit dhe objektivat e ruajtjes së zonës do të hartohen dhe miratohen nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe ministria përgjegjëse, brenda dy vitesh nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

“Kronika e Vjosës Park Kombëtar” – 10 vite aktivizëm

Vjosa është gjendur vazhdimisht nën kërcënimin e veprave të mëdha hidrike, si ajo e Poçemit dhe Kalivaçit, që ishin planifikuar të ndërtoheshin në zemër të lumit.

Në vitin 2016, qeveria shqiptare hapi tenderin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë, duke rrëzuar zotimin e vitit 2015 të Kryeministrit Rama se do ta shpallte Vjosën Park Kombëtar, “që të frenohet barbarizimi nga hidrocentrale”.

Më tej, në vitin 2017, qeveria shqiptare anuloi kontratën koncensionare për ndërtimin e veprës tjetër hidrike, atë të Kalivaçit, pas konflikteve me Francesco Beçhettin, për t’i rihapur sërish procedurat e tenderimit.

Komuniteti u organizua kundër ndërtimin të HEC Kalivaçit dhe zhvilloi disa protesta, krahas betejës ligjore, ku 38 prej banorëve ngritën një padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë.

Gjykata e shpalli të pavlefshme kontratën koncensionare në vitin 2017, pasi kishte parregullsi në zhvillimin e dëgjesave publike.

Qeveria ka ndryshuar kurs edhe sa i përket statusit të Vjosës. Më herët në prill të vitit 2021, Rama u shpreh në një emision prime-time se ata nuk mund ta shpallin luginën e Vjosës Park Kombëtar pasi do të dëmtonte agroturizmin.

Shushica, një tjetër degëzim i rrezikuar nga hidrocentralet

Në qershor të vitit 2021, 30 shkencëtarëve të ardhur nga Austria, Italia, Gjermania dhe Shqipëria organizuan javën shkencore në lumin Shushicë dhe mblodhën të dhëna shkencore që do të përdoreshin për të argumentuar rëndësinë e ruajtjes së degëzimeve të Vjosës, krahas rrjedhës qendrore.

“Shushica Hydropower Sh.p.k” mori lejen mjedisore për ndërtimin e HEC Drashovicës, HEC Koten, HEC Gjorm dhe HEC Brataj.

Shoqërisë i mbaroi afati kohor për të nisur punimet në terren në vitin 2020 dhe kompania “Shushica Hydropower” rinisi procedurat ligjore, duke zhvilluar një tjetër dëgjesë publike në muajin nëntor të vitit 2021 në fshatin Lepenicë.

Çështja po ndiqet ende në rrugë gjyqësore. Në muajin maj të këtij viti 28 banorë të fshatit Brataj të Vlorës që jetojnë përgjatë lumit Shushicë, së bashku me organizatën mjedisore “EcoAlbania”, kanë depozituar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë akt-padinë kundër katër hidrocentraleve.