- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- 40 shkencëtarë në Deltën e Vjosës, zona “e mbrojtur” ku do të ndërtohet aeroporti dhe resorte
40 shkencëtarë në Deltën e Vjosës, zona “e mbrojtur” ku do të ndërtohet aeroporti dhe resorte
Një grup prej 40 shkencëtarësh dhe studentësh nga Universiteti i Tiranës u bashkuan në Javën Kërkimore në Deltën e Vjosës ku vëzhguan dhe mblodhën të dhëna për vlerat e biodiversitetit, hidrogjeologjisë dhe gjeografisë së kësaj zone e cila është lënë jashtë Parkut Kombëtar të Vjosës.
“Një nga pjesët më të rëndësishme të lumit Vjosë është delta e tij”, – thotë për Citizens Channel biologu Aleko Miho. Kërkesa e shkencëtarëve është që delta e lumit Vjosë të përfshihet në Parkun Kombëtar të sapokrijuar dhe të ndalohen projektet si aeroporti i Vlorës apo ndërtimet në një zonë me biodiversitet të rrallë.
“Ndërhyrje të tilla siç janë aeroportet, janë operacione shumë të vështira në natyrë. Dhe natyra zor se mund të përballojë një ndërhyrje të tillë”, – shton biologu Ferdinand Bego, pjesëmarrës në këtë javë shkencore.
Ndikimet, pohojnë ekspertët, do të ndjehen në biodiversitet pasi “zhurmat e avionit, veçanërisht në momentin e ngjitjes, shoqërohen me ndikime të mëdha në gjithë jetën e egër”, – shpjegon biologu Ferdinand Bego, teksa pohon se aeroporti dhe shërbimet e tjera shoqëruese do të çojnë në ndotjen e ujerave dhe të ajrit.
Një tjetër problem që duhet marrë në konsideratë, tehkson akademiku dhe biologu Ferdinand Bego, janë aksidentet ajrore që mund të shkaktohen.
“Ulja dhe ngritja e avionëve, duke ndeshur dhe duke u kryqëzuar me rrugët shtegtare të shpendëve, nuk përbën problem vetëm për shpendët, por edhe për avionët. Raste nga historia botërore tregojnë që ka pasur edhe aksidente fatale”.
Resortet, një tjetër kërcënim për Deltën e Vjosës
Rizonimi i zonave të mbrojtura në Shqipëri i uli kategorinë e mbrojtjes të gjithë sistemit ligatinor të Deltës së Vjosës, ku mori statusin “Peizazh i Mbrojtur Pishë Poro – Nartë” (kategoria V), nga “Rezervat Natyror i Menaxhuar” (Kategoria IV). Sipërfaqja e këtij ekosistemi u zvogëlua me 5,551.7 ha: nga 21,238.0 ha u bë në 16,124.61 ha. Sa i përket Vjosë-Nartës, pjesë e Deltës, sipërfaqja ku sot po ndërtohet aeroporti u hoq tërësisht nga harta e zonave të mbrojtura.
Ndryshimi i statusit, druhen ekspertët mjedisorë, mund të çojë në betonizimin e një prej zonave më të rëndësishme për biodiversitetin.
“Është një vend i rrallë që ka 200 lloje shpendësh. Janë grupet e peshqve, të amfibëve, reptilëve. Është një vend potencialisht i rëndësishëm për shumimin e kareta – karetës, lloj endemik i breshkës së Mesdheut”, – plotëson Miho.
Foto: EcoAlbania
Këtë e pohon dhe studimi i fundit i kryer nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura. AKZM, në vitin 2022, e listoi lagunën e Nartës si të dytën në vend për nga rëndësia për shpendët e ujit.
Të dhënat tregojnë se habitatet strehojnë, ushqejnë dhe ndihmojnë në shumimin e shumë llojeve shtazore si insekte, peshq, amfibë, zvarranikë, gjitarë dhe sidomos shpendë. Në to janë gjetur rreth 390 lloje invertebrorësh; janë listuar rreth 102 lloje peshqish, 9 lloje amfibësh, 26 lloje reptilësh, 32 lloje gjitarësh dhe 192 lloje shpendësh, sidomos të ujit, dimërues dhe folezues.
Studentët pjesëmarrës në këtë javë shkencore e konsiderojnë shumë të vlefshme përvojën në terren.
“Kemi vëzhguar shumë shpendë të ndryshëm. Unë bashkë me kolegun tim Klajdi Keçin kemi një detyrë për të kapur disa flutura të këtyre zonave dhe për t’i emërtuar, për t’i specifikuar”, – shprehet për Citizens Channel Jasmina Gërdeci.
Studentët vëzhgojnë me teleskop shpendët në Deltën e Nartës
Klajdi Keçi tregon se ekspedita shkencore i ndihmoi të njohin më nga afër shumëllojshmërinë e specieve si dhe rreziqet që i kanosen deltës.
“Ekspedita që po bëjmë pikërisht në këtë zonë na ndihmon më shumë për të kuptuar atë teorinë që mësuam si ndikonte aeroporti dhe në cilat specie ndikonte, në cilat lloje”, – përfundon ai.
The post 40 shkencëtarë në Deltën e Vjosës, zona “e mbrojtur” ku do të ndërtohet aeroporti dhe resorte appeared first on Citizens.al.