- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- 20 mijë firma për të kaluar ligjin e referendumeve në Parlament
20 mijë firma për të kaluar ligjin e referendumeve në Parlament
Një grup qytetarësh kanë ndërmarrë që prej dhjetorit një iniciativë vullnetare për mbledhjen e 20 mijë firmave që synojnë propozimin e një ligji të ri për referendumet.
Çfarë është referendumi?
Referendumi është formë e shprehjes së mendimit të popullit me votim të përgjithshëm për një çështje shtetërore apo shoqërore me rëndësi të veçantë.
Juristja Enida Bozheku shprehet se synimi i aktivistëvë është që të krijohet mundësia për t’i dhënë pushtet të drejtpërdrejte popullit. Ajo thekson se ka një vetëdije qytetare të munguar, por shpreson në rizgjimin e saj për vendimmarrje në çështje që i përkasin direkt qytetarëve, e jo politikës.
“Qeveritë shkojnë e vinë dhe mund të aplikojnë çfarëdolloj ligji, qoftë në vendimmarrje, për të shkatërruar pjesë të trashëgimisë kulturore siç ndodhi me Teatrin apo siç po ndodh sot me ish-Radio Televizionin Shqiptar, siç po ndodh me HEC-et, me ndërtimin e parqeve natyrore të ndaluara ku duke munguar një instrument ligjor si referendumi kuptohet që ngelet në dorë të vullnetit politik”,- shpjegon Bozheku
Aktivistja Brizida Gjikondi tregon se në Shqipëri janë mbajtur vetëm dy referendume, një për zgjedhjen e Shqipërisë republikë apo monarki dhe një referendum për aprovimin e Kushtetutës, në 1998-tën. Ajo shprehet për Citizens Channel se që prej 2003-shit kjo e drejtë elementare nuk ekziston.
“Politika, si gjithmonë në nxitim e sipër, arriti të bëjë të gjitha rregullimet e kodit zgjedhor në favorin e vetë, por ligjin e referendumeve e harroi prapë, e harroi sepse i intereson ta harrojë, asaj i intereson që shqiptarët të mos kenë vendimmarrje direkte, por të kalojnë gjithmonë në hallkën apo në duart dhe bizneset e pazaret e tyre”,- shprehet Gjikondi.
Aktualisht, grupi i aktivistëve është i pozicionuar në “Urën e Bllokut” në Tiranë nga ku arritur të mbledhin rreth 10 mijë firma deri tani.
Jela Rodoni thotë se kjo përpjekje është një rast i mirë për rininë, që nuk ka pasur kurrë mundësi që të aplikojë të drejtën e saj për referendum.
“Përshembull brezi im, tek të 30-tat, nuk ka pasur asnjëherë shans të votojë për referendum ose të ketë vendimmarrje të tillë”,- tregon Rodoni.
Të njëjtën gjë e aprovon edhe aktivistja Liridona Hoxha, e cila pohon se të rinjtë nuk e njohin konceptin e referendumit edhe pse është një e drejtë themelore kushtetuese. Sipas saj, qëllimi final i kësaj nisme është miratimi i ligjit për referendumin në Parlament.
“Në momentin që mblidhen 20 mijë firmat të qytetarëve, pra është vullneti i qytetarëve që të krijohet një ligj i tillë, sepse kjo iniciohet ose nga politika ose nga qytetarët, 20 mijë firmat dorëzohen në Parlament, në këtë moment është detyrim për t’u ndërtuar një projektligj për referendumin”,- përfundon Hoxha.
The post 20 mijë firma për të kaluar ligjin e referendumeve në Parlament appeared first on Citizens.al.