13 organizata dënojnë gjuhën denigruese të Kryeministrit Rama ndaj Romëve

13 organizata të shoqërisë civile, denoncuan gjuhën e Kryeministrit Rama ndaj komunitetit Rom, dhe e kanë ftuar atë që të kërkojë falje publike.

Në rrjetet sociale u bënë virale pamje nga shpërndarja e ndihmave për komunitetin rom dhe egjiptian në Fier, ku u shkelën rregullat e distancimit fizik në kohë pandemie. Në atë video shiheshin edhe forca të policisë.

Fill pas këtyre pamjeve, Kryeministri Rama ka reaguar në Twitter, duke theksuar këto grumbullime janë nxitur nga ish-deputetë të për të “inskenuar shfaqje të rrezikshme për jetën”. Në vijim të argumentit se ato pamje janë nxitur nga kundërshtarët politikë, Rama ka përdorur shprehjen “mish për top” duke iu referuar komunitetit rom.

E turpshme nxitja e komunitetit rom për të inskenuar shfaqje të rrezikshme për jetën nga ish-deputetë të caktuar, që paturpësisht gënjejnë publikun, duke pērdorur romët si mish për top për të thënë se ja kështu u shpërndakan ndihmat në Fier e gjetkë #Çnjerëzore

— Edi Rama (@ediramaal) April 14, 2020

Në këtë letër theksohet se Qeveria ka hartuar një Plan Kombëtar Veprimi për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve 2016-2020, ku pranohet vulnerabiliteti dhe nevoja për të adresuar diskriminimi ndaj këtyre minoriteteve, çka bie ndesh me deklaratën e mësipërme të Ramës.

“Në këtë deklaratë Kryeministri bie në kundërshtim me vetë politikat e qeverisë shqiptare, e cila ka një Plan Kombëtar Veprimi për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve 2016-2020. Nëpërmjet këtij plani, duke pranuar vulnerabilitetin dhe nevojën për të adresuar diskriminimin e këtyre minoriteteve, qeveria është angazhuar për të përmirësuar situatën e tyre,” -thuhet në letër.

Gjithashtu, organizatata vënë në dukje se Vendimi i Këshillit të Ministrave në datë 27 mars për të ndihmuar ekonomikisht personat të cilët u prekën nga masat qeveritare dhe kufizimet, përjashton të gjithë ato individë që marrin të ardhura në sektorin informal, duke lënë jashtë kësaj skeme një pjesë të mirë të anëtarëve të komunitetin Rom dhe Egjiptian, pavarësisht rekomandimit të Komisionerit Kundër Diskriminimit.

Etiketimi i komunitetit rom si të përdorur për inskenime politike teksa ata kërkojnë ndihmë, ka ardhur në të njëjtën datë ku forca të IKMT-së tentuan të prishnin tregun informal të rrobave të përdorura në Selitë, i cili është aktiviteti kryesor që gjeneron të ardhura për këto dy komunitete në atë zonë, shkruhet më tej në deklaratë.

“Me datë 14 prill Bashkia Tiranë dhe IKMT në zonën e Selitës filluan prishjen e tregut informal të rrobave të përdorura, aktivitetin kryesor që sjell të ardhura për familjet e komunitetit Rom dhe Egjiptian në atë zone. Në të njëjtën ditë, Romët etiketohen nga vetë kryeministri si të përdorur për inskenime politike, ndërkohë që kërkojnë ndihmë,”-vazhdon letra drejtuar Kryeministrit.

Duke iu kthyer togfjalëshit “mish për top”, organizatat në mbrojtje të të drejtave të njeriut e kanë konsideruar si një shprehje përulëse të përdrur nga Kryeministri për komunitetin Rom.

“Shprehja ‘’mish për top’’ në gjuhën shqipe është përulëse dhe me kuptim derogativ.  Ajo përforcon stereotipet diskriminuese ndaj Romëve si njerëz që mund të përdoren lehtësisht nga të tjerët. Komisioneri Për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka konstatuar diskriminim edhe në raste të tjera të ngjashme ku Romët dhe Egjiptianët janë etiketuar si ‘’lehtësisht të përdorshëm ,”-argumentohet në letër.

Shprehje të tilla marrin jehonë më të madhe kur përdoren nga njerëz me impakt publik si Kryeministri Rama, çka ka bërë që në shumë media të pasqyrohej shprehja denigruese “mish për top” që në titull të artikujve, duke përforcuar diskriminimin në opinionin publik, theksojnë organizatat.

Shqetësimi i fundit i 13 organizatave lidhet me gjuhën nënvlerësues lidhur me aftësitë e komunitetit rom për t’u vetorganizuar dhe për të kërkuar të drejtat e tyre. Organizatat theksojnë se Kryeministri nuk duhet të minojë apo të delegjitimojë organizimin e komuniteteve të margjinalizuara me konceptin e “nxitjeve dhe inskenimeve politik”.

Në fund të kësaj deklaratë, organizatat apelojnë edhe një herë që Kryeministri Rama të kërkojë falje publike për gjuhën e përdorur.

Deklarata e plotë:

Denoncojmë gjuhën diskriminuese të Kryeministrit Rama ndaj Romëve, e ftojmë të kërkojë falje publike dhe të rishikojë politikat qe prekin ketë komunitet dhe qytetarë të tjerë në kushte të ngjashme

Me datë 14 prill, në rrjetet sociale u publikuan video të komuniteti Rom dhe Egjiptian në Fier të mbledhur së bashku, për tu ankuar për mungesën e ndihmave nga Bashkia dhe për shpërndarjen e padrejtë të tyre. Këto video u shpërndanë në rrjetin social facebook edhe nga përfaqësues të partive politike duke nxitur reagimin e paprecedentë të kryeministrit në Tëitter: ‘’E turpshme nxitja e komunitetit rom për të inskenuar shfaqje të rrezikshme për jetën nga ish-deputetë të caktuar, që paturpësisht gënjejnë publikun, duke pērdorur romët si mish për top për të thënë se ja kështu u shpërndakan ndihmat në Fier e gjetkë #Çnjerëzore’’. Romët u etiketuan si të përdorur si mish për top për inskenime, ndërkohë që ata ishin mbledhur për të shprehur nevojën e tyre.

Së pari, në këtë deklaratë Kryeministri bie në kundërshtim me vetë politikat e qeverisë shqiptare, e cila ka një Plan Kombëtar Veprimi për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve 2016-2020. Nëpërmjet këtij plani, duke pranuar vulnerabilitetin dhe nevojën për të adresuar diskriminimin e këtyre minoriteteve, qeveria është angazhuar për të përmirësuar situatën e tyre. Nga ana tjetër, një pjesë e mirë e Romëve dhe Egjiptianëve që punojnë në sektorin informal të ekonomisë, u përjashtuan më herët nga qeveria duke u lënë jashtë listës së subjekteve përfituese të pagës së luftës gjatë periudhës së pandemisë, pavarësisht rekomandimit të Komisionerit Për Mbrojtjen nga Diskriminimi të datës 31 mars. Me datë 14 prill Bashkia Tiranë dhe IKMT në zonën e Selitës filluan prishjen e tregut informal të rrobave të përdorura, aktivitetin kryesor që sjell të ardhura për familjet e komunitetit Rom dhe Egjiptian në atë zone. Në të njëjtën ditë, Romët etiketohen nga vetë kryeministri si të përdorur për inskenime politike, ndërkohë që kërkojnë ndihmë.

Së dyti, gjuha e përdorur nga kryeministri, në faqen e tij është e papranueshme. Shprehja ‘’mish për top’’ në gjuhën shqipe është përulëse dhe me kuptim derogativ.  Ajo përforcon stereotipet diskriminuese ndaj Romëve si njerëz që mund të përdoren lehtësisht nga të tjerët. Komisioneri Për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka konstatuar diskriminim edhe në raste të tjera të ngjashme ku Romët dhe Egjiptianët janë etiketuar si ‘’lehtësisht të përdorshëm’’. Duhet theksuar që faqja e Kryeministrit të Shqipërisë ndiqet nga mijëra qytetarë dhe shumë media raportuan mbi ngjarjen duke zgjedhur të kishin në titull pikërisht shprehjen denigruese ‘’mish për top’’, është përforcuar kështu impaktin e diskriminimit në opinionin publik.

Së fundmi, Kryeministri ka nënvlerësuar publikisht aftësinë e Romëve për tu vetë-organizuar e për të kërkuar te drejtat e tyre, të cilën ata e kanë bërë më së miri prej vitesh. Kryeministri nuk duhet ta minojë dhe delegjitimojë organizimin e komuniteteve të marxhinalizuara me konceptin e ‘’nxitjeve dhe inskenimeve politike’’, por tu përgjigjet nevojave të tyre.

I bëjmë thirrje Kryeministrit të Shqipërisë, të ndalojë përdorimin e gjuhës denigruese dhe diskriminuese ndaj Romëve dhe të kërkojë falje publike.

I bëjmë gjithashtu thirrje qeverisë shqiptare të pranojë dhe tu përgjigjet nevojave të komuniteteve të marxhinalizuara pasi për ta pandemia është një krizë mbi krizat.

Organizatat nëshkruese:

Qendra Treja

Qendra Për Aksion Komunitar

Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome

Civil Rights Defenders

Citizens Channel

Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS)

Këshilli Shqiptar i Medias

Pro LGBT

Qendra Europiane

Qendra ALTRI

Aleanca LGBT

Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN)

Qendra Për Nisma Ligjore Qytetare (QNL)