- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- 1 dekadë premtime për Unazën e Madhe të Tiranës
1 dekadë premtime për Unazën e Madhe të Tiranës
Një dekadë nuk ka mjaftuar për të përfunduar rreth 29 km të unazës së madhe të Tiranës. 2.8 kilometrat e para të saj datojnë 11 vite më parë, ndërsa qeveria jep cdo vit një afat të ri. Me një kosto totale prej 433 mln euro, një km rrugë e unazës së madhe ka kushtuar mesatarisht 15 mln euro.
“Në këtë mënyrë Unaza e Madhe merr formë, mund të themi që Tiranës i jepet ajo për të cilën ka pasur kaq shumë nevojë, një Unazë që do të shpëtojë kryeqytetit nga tranziti mes për mes tij”,- u shpreh në vitin 2013, asokohe ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi gjatë inspektimeve të punimeve nga Sauku në rrethrrotullimin e qendrës TEG.
Mirëpo, pas përfundimit të 2.8 kilometrave të para, kalvari i premtimeve për Unazën e Madhe të Tiranës do të merrte më shumë se një dekadë. I nisur si një projekt ide para viteve ’90, zbatimi i tij ka vijuar në vitin 2009 me bërjen e projektit nga bashkia e Tiranës dhe ministria përkatëse. Në vitin 2011, filluan të zbatohen lotet e para nga Kopshti Zoologjik deri te TEG-u. Ndër vite është premtuar përfundimi, ndërsa sot, 11 vite më pas, punimet ende vijojnë.
Me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste në 2013-ën, projekti u rishikua, pasi sipas tyre nuk ishin marrë në konsideratë efektet që shkakton ndërtimi i tij në terren.
Në vitin 2014, Ministri i Infrastrukturës Edmond Haxhinasto u shpreh se ”Mund të ketë një impakt negativ për sa i takon aktivitetit ekonomik dhe social. Një problem i tillë për Unazën e Tiranës është duke u trajtuar edhe nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe do të shikojmë mundësitë se çfarë mund të bëjmë. Kostoja është shumë e lartë, shkon mbi 10 milionë dollarë“.
Në vitin 2018, dhjetëra banorë të Unazës së Re u ngritën në protesta kundër shembjes së shtëpive të tyre. Protesta të cilat u ndoqën më pas edhe në zonën e Astirit.
Sipas kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar në ato vite, Afrim Qëndro, Unaza e Madhe e Tiranës është një projekt madhor, për të cilin do të shpronësohen qindra banesa.
“Në total janë 317 objekte që preken nga projekti i Unazës së Madhe, prej të cilave 163 në proces legalizimi dhe do të skualifikohen nga ALUIZNI, si dhe 123 objekte janë me vërtetim pronësie”,-deklaroi Afrim Qëndro.
Po në këtë vit, u zbulua se një kompani fantazmë e njohur si “DH Albania” kishte fituar një tender prej 18 milionë eurosh në një nga lotet për rindërtimin e segmentit nga mbikalimi i pallatit me shigjeta te sheshi Shqiponja. Ky skandal bëri që projekti në nënkalimin e rrethrrotullimit të doganës të ndryshohej me emergjencë.
Në shtator të vitit 2021, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se Unaza e Madhe e Tiranës, përfundon brenda 24 muajsh, pra në gusht të vitit 2023.
“Tashmë ndodhen drejt përfundimit të gjitha lotet, edhe ato që kemi trashëguar prej nëntë vitesh të papërfunduara, por edhe lotet e reja, të cilat u hapën për më pak se një vit e gjysmë dhe janë drejt përfundimit. Tashmë gara është e hapur për të vazhduar me pjesën nga lidhja e shqiponjës dhe deri në zonën e Shkozës, pra te loti i fundit ku mbaron materniteti, duke mbyllur kështu brenda 24 muajsh të gjithë Unazën e Tiranës”,- u shpreh Balluku në seancën plenare të shtatorit të vitit 2021.
Mirëpo, edhe pse e premtuar si një vepër që mbyllet në gusht të vitit 2023, sërish punimet në terren nuk arritën afatet.
Në vitin 2023, Ervis Berberi, drejtues i Autoritetit Rrugor Shqiptar tha se Unaza do të përfundojë në vitin 2024.
“Besojmë që brenda këtij viti duam të dorëzojmë dy segmentet e zonës së Paskuqanit, pra pjesa që i takon territorit të bashkisë së Kamzës dhe pastaj brenda vitit tjetër duam të dorëzojmë të gjithë segmentin e unazës së përfunduar”,- u shpreh Berberi.
Në muajt e parë të vitit 2024, Berberi bashkë me dy persona te tjerë u akuzuan për korrupsion dhe pastrim parash. Gjykata e Posaçme sekuestroi pasuritë e dyshuara të tij, ndërsa u la në burg.
Mesa duket 31 dhjetori i vitit 2024, përpos festës për kalimin në një vit të ri, do të shënojë edhe premtimin e fundit për përfundimin e Unazës së Madhe të Tiranës.
Ku nis dhe bitis Unaza e Madhe e Tiranës?
Unaza e Madhe e Tiranës ka një gjatësi prej 28,77 kilometrash.
Ajo është e ndarë në katër segmente. Unaza veriore e cila fillon te ish-sheshi Shqiponja dhe përfundon te mbikalimi në Shkozë. Unaza perëndimore e cila fillon te ish-sheshi Shqiponja dhe përfundon te mbikalimi te pallati me shigjeta.
Unaza Jugore që nis te mbikalimi te pallati me shigjeta dhe përfundon te rrethrrotullimi i TEG. Si dhe unaza lindore që nis te rrethrrotullimi i TEG-ut dhe përfundon te mbikalimi i Shkozës, duke përfshirë segmentin nga mbikalimi i Shkozës deri te materniteti i ri.
Sipas të dhënave të ARRSH-së, unaza Veriore ka një gjatësi prej 8.52 kilometrash. unaza Perëndimore ka një gjatësi prej 2.34 kilometrash. Ajo Jugore ka një gjatësi prej 8.04 kilometrash, ndërsa unaza Lindore shkon në 9.87 kilometra.
Unaza e Madhe e Tiranës financohet plotësisht nga fondet e buxhetit të shtetit, ndërsa kostoja totale sipas ARRSH-së shkon në 44.3 miliardë lek.
Kostoja sipas segmenteve ndahet në:
-Kostoja e Unazës Veriore eshte 16.8 miliard lek (me tvsh)
-Kostoja e Unazës Perëndimore është 5.8 miliard lek (me tvsh)
-Kostoja e Unazes Jugore është 9.6 miliard lek (me tvsh)
-Kostoja e Unazes Lindore është 12.1 miliard lek (me tvsh)
The post 1 dekadë premtime për Unazën e Madhe të Tiranës appeared first on Citizens.al.